TIRANË, 15 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Shkodra komentoi apelin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mos shitur votën.
“Jam shumë dakord, qoftë me përfaqësuesin e SHBA-së këtu, qoftë me gjithë atë grup autoritetesh të Kishës Katolike që adresuan një plagë të madhe këtu në Shkodër, shitjen dhe blerjen e votës”, tha Rama.
Rama theksoi se ishte po ashtu shumë dakord që të shesësh votën ishte mëkat, ashtu sikundër tha se ishte po dakord që të blesh votën është mëkat.
“Dhe jam po kaq dakord që këto zgjedhje duhet të jenë zgjedhje ku njerëzit të mendojnë jo sa do të marr për këtë muaj, po çfarë vote do të jap unë për fëmijën tim. Sepse fëmijët nuk votojnë, por me votën tonë e vendosim çfarë Shqipërie do të kenë fëmijët nesër, vendosim çfarë çerdhesh, kopshtesh, shkollash do të kenë nesër, çfarë Shqipërie do të kemi për të rinjtë”, deklaroi Rama. /j.p/r.e/






















