UASHINGTON – SHBA sanksionon Rusinë për sulme kibernetike

UASHINGTON, 15 prill /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane ka vendosur të dëbojë 10 diplomatë rusë dhe të sanksionojë disa organizatave dhe individëve, në përgjigje të sulmeve kibernetike dhe akteve të tjera armiqësore, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

“Masat kanë për qëllim parandalimin e veprimtarive të dëmshme të Rusisë”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Sanksionet, të detajuara në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Joe Biden, synojnë dhjetëra subjekte ruse, zyrtarë dhe diplomatë”, shtoi ajo.

Sipas deklaratës, sanksionet e reja tregojnë se SHBA “do të detyrojë kosto në një mënyrë strategjike dhe me ndikim ekonomik mbi Rusinë, nëse ajo vazhdon veprimin e saj destabilizues ndërkombëtar”.

Në një telefonatë me Presidentin rus, Vladimir Putin, Biden u zotua të mbrojë interesat kombëtare të SHBA “në mënyrë të vendosur”, ndërsa propozoi një takim me Putin për të gjetur fushat ku të dy vendet mund të punojnë së bashku.

SHBA-ja e akuzon Rusinë për veprimtari kibernetike me qëllim të keq dhe ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale.

Qeveria ruse ka mohuar akuzat dhe e ka quajtur çdo sanksion të ri “të paligjshëm”.

Masat vijnë në një kohë të tensionuar për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Muajin e kaluar, SHBA-ja sanksionoi shtatë zyrtarë rusë dhe më shumë se një duzinë subjektesh qeveritare, në lidhje me helmimin e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Rusia mohon pjesëmarrjen në helmim./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.