Basha në njësinë 9 në Tiranë: Nuk mund të ketë kurrë bashkëqeverisje me Edi Ramën

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është pritur me entuziazëm nga banorët e njësisë 9 në Tiranë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kreu i opozitës shprehu zotimin se projekti i Bulevardit të Ri do të përfundojë ashtu siç ishte planifikuar kur ishte në Bashki. Duke i falënderuar për mbështetjen masive që po i japin ndryshimit, Basha përsëriti se bashkëqeverisje nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë, pasi ndryshimi vjen vetëm me largimin e Ramës.

“Ky ёshtё vendi pёr t’iu thёnё jo vetёm ju banorëve tё kësaj zone, jo vetёm qytetarëve tё Tiranës, por tё gjithё shqiptarëve. Ju e dini, 8 vite nuk kanё bёrё asgjë. Edhe ky projekt ёshtё njё projekt qё ne e hartuam bashkё me partnerët tanё nё njё konkurs ndërkombëtar, e financuam, nisëm ndërtimin dhe e bllokuan. E mbani mend apo jo? E bllokuan, e tjetërsuan dhe tani po përpiqen qё tё grabisin trojet pёr përfitimet e tyre. Por ne nuk do ta lejojmë. Ky projekt i bukur do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar, me gjelbërim dhe parqe, me zhvillime për ju dhe fëmijët tuaj dhe duke respektuar pronën e gjithsecilit”, tha Basha.

“Dera e shumicës dërrmuese të shqiptarëve është e mbyllur, ndaj, kot jargavitet tek dera e Partisë Demokratike, se nuk ka e nuk mund të ketë kurrë, kurrë bashkëqeverisje me Edi Ramën. Tani ka vetëm një dhe një vullnet, ndryshim. Shqipëria do ndryshim, shqiptarët duan ndryshim. Ndryshimi vjen duke larguar Edi Ramën. Ndryshimi vjen duke votuar numrin 9. Vota për numrin 9 më 25 prill, vota për Aleancën për Ndryshim është garancia e vetme për ndryshimin”, u shpreh Basha.

“Mos harroni 25 prilli nuk bëhet për partitë, 25 prilli bëhet për qytetarët! Më 25 prill, ju keni në dorë veten tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj! Mos i lini në baltë, mos i lini të largohen! Jepini mundësinë për arsim dinjitoz, jepini mundësinë t’ju krijojnë vende pune këtu, që të mos ju largohen nga shtëpitë tuaja dhe ju të rinj, jepuni mundësinë prindërve tuaj ta ngrenë kokën dhe jepini mundësinë t’ju rrisim pensionet! Të tjerat janë broçkulla si ato që aktrojnë me shumicë këto tetë vite, por asgjë nuk është bërë realitet për ju, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, ndaj mos harroni, e vetmja mënyrë për ndryshim, më 25 prill, të gjithë në kutitë e votimit, votoni numrin 9”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.