Ballina Aktualitet

“Dekorata e Artë e Shqiponjës” për heroin Arjan Sala (pas vdekjes)

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” heroin Arjan Sala (pas vdekjes), i cili u vetësakrifikua për të shpëtuar jetët e punonjësve dhe kolegëve nga zjarri te “Casa Italia”.

Kreu i shtetit i akordoi Arjan Salës dekoratën e lartë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat ai hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit”.

Në fjalën e tij me këtë rast, presidenti Meta duke iu drejtuar familjarëve dhe miqve të të ndjerit Arjan Sala, të pranishëm në ceremoninë solemne, u shpreh se, “ndajmë bashkë me ju familjarët e tij dhimbjen për humbjen e tij të parakohshme, ashtu sikurse jemi krenarë për veprën e tij sublime”.

“Njëkohësisht jemi të bindur se përmes këtij akti, pavarësisht pasojave tragjike me humbjen e pazëvendësueshme për familjen e tij, Arjani na ka dhënë një shembull të gjithëve, se si duhet të sakrifikojmë dhe se si duhet të tregojmë dashurinë për njëri-tjetrin”, tha Meta.

“Vepra heroike e Arjanit imponon respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të gjithë shqiptarëve, jo vetëm të atyre që ai u shpëtoi jetën. Në një kohë kur shoqëria jonë po vuan plagën e rëndë të braktisjes së vendit, sidomos nga të rinjtë, Arjani tregoi se ky vend ka njerëz të mëdhenj, të cilët kanë dhe familje të mrekullueshme, që i kanë edukuar fëmijët e tyre siç kanë edukuar prindërit Arjanin, me dashurinë e pafund për atdheun, për njerëzit dhe me ndjenjën e lartë të detyrës”, u shpreh Meta.

“Ndaj dhe natyrshëm, mijëra mesazhe solidariteti, dedikime, e ngushëllime nga njerëz të panjohur janë shprehur për të, si një reagim dhe një dhimbje e pamasë njerëzore”, theksoi kreu i shtetit.

“Sot ne nderojmë dhe kujtojmë Arjanin, si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, si shembull i mirësisë dhe vlerave më të larta humane dhe njerëzore. Mbi vetëflijimin e tij, duhet të punojmë që të ndërtojmë, një shtet më të fortë, një shtet më njerëzor, një shtet më të dhimbsur, një shtet më social dhe një shtet më reagues, sidomos në momentet e fatkeqësive. Një shtet që jo vetëm nuk i braktis njerëzit në nevojë dhe momentet më të vështira, por që është i përgatitur për t’i përballuar këto momente”, tha Meta. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇuçi: Do të sfidojmë numrat në Gjirokastër, PS merr 3 mandate deputetësh
Artikulli tjetërPanorama e situatës së 12 qyteteve ku do të zhvillohet EURO 2020/ Duka në Komitetin e Stadiumeve dhe Sigurisë së UEFA-s