Zgjedhjet e 25 prillit/Meta letër institucioneve për zbatimin e ligjit

TIRANË, 10 prill/ATSH/- Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër 9 krerëve të institucioneve të rëndësishme në vend, 7 të tjerëve në vëmendje, mbi nevojën e marrjes së masave të shtuara organizative në ushtrimin e detyrave funksionale, zbatimin me përgjegjshmëri të legjislacionit në fuqi, si dhe rritjen e vigjilencës përgjatë periudhës para dhe pas zgjedhore.

Në letër, Meta ka vënë në dijeni edhe ambasadorët e OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së, ku ndër të tjera thekson se “në funksion të realizimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe sipas standardeve europiane; për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; dhe për të frenuar e denoncuar çdo fenomen negativ që mund të shfaqet përgjatë gjithë kësaj periudhe, Presidenti i Republikës, do të ketë vëmendjen maksimale për të monitoruar veprimtarinë e administratës shtetërore, situatën zgjedhore në tërësi, për të evidentuar apo frenuar çdo veprim apo mosveprim të kundraligjshëm, që reflekton hapur përpjekje për të ushtruar trysni politike, apo që synon të cenojë votën e lirë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe vëmendjen e shtuar ndaj të gjithë fenomeneve që mund të reflektojnë shpërdorim të ushtrimit të funksionit shtetëror”.

Sipas tij, “në të kaluarën, në periudhat para dhe pas zgjedhore, dhe kryesisht përgjatë periudhës tranzitore që përkon nga momenti i zhvillimit të zgjedhjeve e daljes së rezultatit paraprak deri në fillimin e funksionimit të Kuvendit të ri, në veprimtarinë shtetërore në tërësi, janë konstatuar fenomene negative të natyrave të ndryshme, ku më së shumti, e për fat të keq, është vërejtur një apati e funksionimit në administratën publike e shtetërore, e cila nuk ka reflektuar një efiçiencë të plotë”.

Meta shprehet se “në disa raste janë evidentuar veprime të qarta të shpërdorimit të funksionit publik, duke vendosur në rrezik zbatimin e legjislacionit në fuqi, me pasojë cenimin e interesave të shtetit, shkeljen e lirive e të drejtave të njeriut, por dhe uljen e cilësisë së shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve”.

“Duke qenë se institucionet tuaja janë të lidhura drejtpërdrejtë me sigurimin dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, interesat fiskalë, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, administrimin dhe ruajtjen e resurseve e pronës publike dhe interesave të shtetit në tërësi, etj, që kanë ndikim direkt edhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare në Republikën e Shqipërisë, si President i Republikës, tërheq vëmendjen tuaj dhe kërkoj rritjen e përgjegjshmërisë në mënyrë të posaçme përgjatë kësaj periudhe, me qëllim që jo vetëm të zbatohet rigorozisht legjislacioni në fuqi, por të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për mbikqyrjen, identifikimin dhe raportimin pranë institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të orientimeve, shtrëngimeve, veprimeve apo vendimmarrjeve që janë në kundërshtim të hapur me ligjin, të kujtdo punonjësi, funksionari, individi, apo subjekti fizik apo juridik privat”, deklaron ai.

Në letër, Meta thekson më tej se “kërkoj nga ana juaj si drejtues, që përmbushja e detyrave funksionale prej strukturave në institucionet tuaja, t’i nënshtrohet një vëmendjeje të shtuar, në drejtim të verifikimit të përditshëm të zbatimit të ligjit për vendimmarrjet sipas fushës së veprimtarisë, ashtu edhe monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhduar, me qëllim garantimin e funksionimit normal të të gjithë aparatit shtetëror”.

“Edhe një herë më duhet t’ju theksoj që, funksioni shtetëror nga ana juaj duhet të ushtrohet me integritet dhe përgjegjshmëri të lartë, ashtu sikundër ju shpreh mbështetjen time që, për çdo veprim/mosveprim që përbën shkelje të ligjit, të ndërmerren nga ana juaj të gjitha masat e duhura për respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, e për të vënë para përgjegjësisë individuale administrative apo penale, çdo shkelës të ligjit”, deklaron Presidenti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.