Ndarja nga jeta e veteranit Rustem Peçi/ Mesazhet

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Politikanë e zyrtarë të lartë dhanë mesazhe për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.

Ruçi: Mishërim i vlerave më të larta të ushtarakut

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.

“Me trishtim të thellë mora vesh lajmin nga jeta të veteranit e patriotit Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar. Rustem Peçi ishte një veteran, antifashist dhe patriot, i cili që në moshë mjaft të re u aktivizua në Luftën Çlirimtare si pjesëtar i rinisë antifashiste”, shkruan Ruçi.

“Si ushtarak, Rustem Peçi i shërbeu me përkushtim atdheut në të gjitha detyrat e larta me të cilat është ngarkuar. Si drejtues për një kohë të gjatë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-Nderi i Kombit, kësaj organizate të nderuar 64-vjeçare, Rustem Peçi ka kontribuar për mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste dhe edukimin e vajzave e djemve të Shqipërisë me respektin e nderimin për historinë, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, lirinë dhe atdheun”, thekson Ruçi.

“Rustem Peçi ishte dhe do të kujtohet përgjithmonë si mishërimi i vlerave më të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Meta: Patrioti dhe edukatori ynë antifashist

Presidenti Ilir Meta shprehu dhembje e trishtim për ndarjen nga jeta të antifashistit, patriotit, ushtarakut dhe veteranit, kolonel Rustem Peçi.
“I edukuar me dashurinë për Atdheun, që në moshë shumë të re ai u aktivizua për Çlirimin e Shqipërisë, për t’i shërbyer me përkushtim vendit pas Luftës, në të gjitha detyrat e larta shtetërore me të cilat u ngarkua dhe për të vijuar, si Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, me kontributin e tij të shkëlqyer për edukimin e gjeneratave të reja me ndenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit, si dhe me mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste”, tha Meta.
“Kam patur fatin ta njoh nga afër punën dhe angazhimin e tij të palodhur në mbrojtje të idealit të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe nuk mund të mos shpreh hidhërimin e madh të ndarjes së tij nga jeta në prag të përkujtimit të 7 Prillit, kësaj dite të trishtë për historinë tonë, por edhe nderimi për nisjen e rezistencës heroike të ushtarakëve patriotë”, u shpreh ai.
“Duke ndarë dhembjen me familjen Peçi, miqtë dhe të gjithë anëtarët e Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera. Patrioti dhe edukatori ynë antifashist Rustem Peçi do të kujtohet përgjithmonë me nderim, respekt dhe mirënjohje!”, përfundoi Meta.

Balla: Kontribut në mbrojtje të idealit të luftës për liri 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryetarit të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, Rustem Peçi.

Balla shprehet se Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.

Sipas Ballës, Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ.

“U prehsh në paqe miku ynë i vyer Rustem Peçi, Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ! Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar. Edukimi i gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit është sfidë e rëndësishme për të ardhmen. Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ”, u shpreh Balla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.