Ballina Aktualitet

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës/ Urimet

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Zyrtarë të lartë shqiptarë dhe politikanë uruan sot presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmani.

Meta: I bindur se do t’i shërbejë frymës së konsensusit e dialogut

Presidenti Ilir Meta shprehu urimet më të sinqerta për Vjosa Osmanin, me rastin e zgjedhjes në detyrën tepër të rëndësishme të Presidentes së Republikës së Kosovës.

“Jam i bindur se Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona. Si President i Republikës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore, në interes të qytetarëve tanë dhe përshpejtimit të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, të Shqipërisë dhe të Kosovës”, tha Meta.

Basha: I bindur se do të mundësojë unifikimin e faktorit politik të Kosovës

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi Presidenten e re të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Urimet më të përzemërta Vjosa Osmanit për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës. Jam i bindur se presidentja Osmani do të mundësojë unifikimin e faktorit politik të Kosovës për të adresuar drejt sfidat që vendi ka përpara, garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, antarësimin e Kosovëes në institucionet ndërkombëtare, arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë dhe progresin drejt integrimit euroatlantik. Si përherë, sot dhe nesër në qeverisje të vendit, PD dhe unë qëndrojmë në krah të Kosovës, në mbështetje të qytetarëve dhe institucioneve të saj, për t’i përballuar së bashku të gjitha sfidat e për të forcuar bashkëpunimin mes nesh në dobi të zhvillimit dhe mirëqënies së qytetarëve tanë. Punë të mbarë Presidente Osmani!”, tha Basha.

Kryemadhi: Pres me padurim ta shoh Kosovën të përparojë në integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar 

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehu po ashtu urimet më të mira për Presidenten, Vjosa R. Osmani.

“Urime popullit të Kosovës! Pres me padurim ta shoh Kosovën të përparojë në integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar dhe le të punojmë së bashku për marrëdhënie sa më të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kosovës, për rritjen e mirëqenies dhe realizimit të sfidës së integrimit europian”, tha ajo.

/m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”/ 20 fluturime të konfirmuara për të hënën
Artikulli tjetër192 882 vaksinime antikovid në total/ Manastirliu: 7386 jetë më të mbrojtura vetëm sot