TIRANË, 3 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Saliu, Iliri, Monika dhe Luli, këta janë kërcënimi për drejtësinë e re.
Rama tha se “në Vlorë opozita nuk bën fushatë, por bën kallëzime për çdo punë që është bërë në Vlorë. Kudo që shkojnë thonë se këtë do ta çojmë në prokurori, këtë punë do e çojmë në prokurori, atë marrëveshjen do e çojmë në prokurori, aeroportin e Vlorës do e çojmë në prokurori, do çojmë çdo gjë në prokurori sipas tyre. Le ti çojnë, por ajo që njerëzit të kuptojnë është se është një mesazh se ata do të bllokojnë çdo gjë. Edhe vaksinimit. Kush do t’i gjejë vaksinat, Luli? Si do i gjejë, duke fjetur? Jua them unë. Është një tmerr. Është t’i biesh botës pesë herë rrotull, e të trokasësh derë më derë e të lypësh në çdo derë që të hapet, e të bëhesh i padurueshëm duke kërkuar, që të arrish diçka të marrësh”.
Ai tha se, “këtë e zë gjumi duke ardhur nga Durrësi në Tiranë, llogarit të marrë votën, do bëhet si sendet e humbura, do dalë nëpër lajme ‘është njëri në gjumë, të vijnë ta marrin, se nuk e dimë kush është dhe ku ta çojmë’. Por sidoqoftë, ka të mira që na bën dhe për të qeshur pak, dhe duhet pak të qeshim, ndërkohë s’është për të qeshur fare ajo që mund të ndodhë me drejtësinë, që është kyçi i të gjithë këtij procesi të madh transformimi”.
“Sigurisht që sot nuk jemi në kushtet kur mund të themi që drejtësia po funksionon ashtu siç e meritojnë shqiptarët, dhe siç duhet për një vend dinjitoz. Jo, s’po funksionon akoma ashtu, por ka filluar të japë shenja të funksionimit të daljes nga kthetrat e malukatëve dhe lehtësimit nga barra e llumit dhe e plehut që kishte mbi shpatulla, ndërkohë që pastrimi vazhdon dhe ndërkohë që institucionet e reja kanë filluar të veprojnë. Duhet t’u japim kohë, duhet t’i mbështesim dhe mbi të gjitha t’i mbrojmë nga rreziku. Dhe kush është rreziku? Rreziku është ajo katërshja, ose më sakët 3 plus një: Saliu, Liri dhe Monika, këta janë kërcënimi, këta janë ata që nuk mund t’u jepet një shans tjetër”, tha ai.
/r.e/























