Shqipëria në proces transformimi/ Punët që do e bëjnë kampione të Ballkanit në turizëm, agroturizëm e eksporte bujqësore

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Berati tha sot se nëse opozita vjen në pushtet do të prishë dy procese: atë të vaksinimit dhe të rindërtimit.

“Bujqësia, arsimi, energjia, infrastruktura, të gjitha janë në një proces që nuk kanë shanse të mendosh që duke sjellë ata mund të përshpejtohen. Në Vlorë bëjnë për të çuar çdo punë publike në Prokurori. Deklarojnë se do të prishim gjithçka. Dy gjëra do prishin ata që në fillim nëse do të kenë gjë në dorë: gjithë këtë proces vaksinimi dhe rindërtimin”, tha Rama.

Kryeministri komentoi edhe deklaratën e Bashës se do të merrte 4 shkencëtarë për vaksinimin, por ndërkohë, tha ai, shkencëtarët shpikin vaksina, por nuk bëjnë gjilpëra.

Tjetra, tha ai, që do të mbetet menjëherë pezull është rindërtimi.

“Kemi një opozitë që del, flet dhe këto nuk i ka fare në horizont. Se po luftohet këtu për jetë a vdekje, nuk duan t’ia dinë. Ata vazhdojnë të merren me rritjen e prodhimit të djathit duke përfituar nga ulja e prodhimit të qumështit. Se këtu luftohet për të kthyer në shtëpi njerëz që për pak sekonda humbën çatinë, s’duan t’ia dinë. Se këtu është një vend i tërë dhe një qeveri që u goditën mu në mes të një mandati dhe po qeverisim një mandat të thyer mu në mes nga dy goditje që do kishin thyer një elefant, jo Shqipërinë, që nuk është Gjermania, apo Franca e Italia, nuk duan t’ia dinë. Këta premtojnë euro nga të 4 anët, si Rrapush Xhaferri”, u shpreh ai.

Ne ndërkohë, vijoi Rama, jemi në një proces transformimi, që ju siguroj se duke vazhduar, do ta bëjë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, agroturizëm dhe eksporte bujqësore.

Sipas Kryeministrit, i gjetëm 100 milionë dollarë eksportet bujqësore dhe i çuam në 400 milionë dollarë, ndërsa objektivi ynë është të shkojmë në 1 miliard dollarë.

“Berati është një vend që na e ka falur historia, jo si një motor ekonomie, falë trashëgimisë së vet kulturore, falë bukurive të veta”.

Në verën që afron, theksoi Rama, Berati do të ketë sërish frymëmarrje gjatë sezonit turistik.

“Gjithë ajo ekonomi që ka patur një moment frenimi, do të vihet në lëvizje përsëri, si dhe i gjithë sistemi i punësimit”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.