Ballina Aktualitet

“Reforma në Drejtësi, kryefjala e programit të PS”/ Gjonaj: Plotësimi i BKH dhe SPAK do sjellë rezultate konkrete

TIRANË, 1 prill /ATSH – I. Vata/ “Plotësimi i BKH-së, SPAK do të ketë mundësi të sjellë rezultate konkrete”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ndërsa theksoi se Reforma në Drejtësi ka patur rezultate shumë të mira.

Në një emision televiziv, Gjonaj tha se, “Reforma në Drejtësi është ajo reformë që ne kemi ideuar, por padyshim që kërkon rezultate për t’u prekur nga qytetarët, prandaj është dhe kryefjala e fushatës tonë, por edhe kryefjala e programit tonë, ku Shqipëria e vitit 2030 do ta gjejë vendin me një drejtësi që jo vetëm të jetë e pavarur, dhe tërësisht e paanshme, por të jetë dhe eficiente, që qytetarët të kenë mundësi që ta prekin sistemin e drejtësisë nga afër me vendime më të shpejta, me vendime të drejta, por dhe padyshim, për të ndëshkuar dhe raste e korrupsionit dhe të krimit të organizuar”.

Gjonaj tha se kjo nuk ishte një reformë e lehtë, nuk ishte prekje e legjislacionit apo një arnim i legjislacionit të sistemit të drejtësisë, kjo ishte një reformë tërësore, një kantier tërësisht i ri. “Filloi me ndryshimet kushtetuese, u miratuan ligjet, u miratuan aktet nënligjore, u ngritën institucionet e reja, u ngrit arkitekturë e re, dhe tashmë edhe me disa ndryshime që ne kemi bërë së fundmi që janë miratuar në Kuvend, jam e bindur se do të ketë efektshmërinë e duhur”, tha ajo.

“Padyshim ka ende punë për t’u bërë për ngritjen dhe funksionimin tërësor të disa institucioneve siç është Byroja Kombëtare e Hetimit, ku sot ishte lajm i mirë që 28 hetues ishin emëruar, por edhe për pjesën tjetër të strukturës që do të mbështesë SPAK-un për të gjitha hetimet, veprimet hetimore që do të kryhen për çështje shumë të rëndësishme. Dhe besoj se me plotësimin e BKH-së, SPAK-u do të ketë mundësi të sjellë rezultate konkrete që janë të pritshme nga të gjithë ne, nga partnerët, nga qytetarët dhe besoj se i kanë të  gjitha kushtet, të gjitha mundësitë, e kanë të gjithë kuadrin ligjor për të kryer dhe për të marrë disa masa, disa hapa, të cilat sjellin pikërisht atë që qytetarët presin”, tha ajo.

Në lidhje me ndryshimet ligjore, Gjonaj u ndal në dy momente.

“Momenti i parë ka të bëjë pikërisht me arsyen pse erdhën këto ndryshime dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin se Reforma në Drejtësi, paketa ligjore, nuk i parashikoi të gjitha, po nuk ishte bërë ashtu siç duhej, përkundrazi, por të gjitha vonesat që janë bërë në zbatimin e reformës diktuan marrjen e disa masave apo disa ndryshimeve të cilat do të sillnin më shumë energji për ta pritur rezultatin që qytetarët ta prekin. Kjo paketë, pavarësisht se u miratua më 24 mars, ka kohë që punohet”, theksoi Gjonaj.

“Ne filluam një analizë së bashku me partnerët ndërkombëtarë si Ministri, për të kuptuar çfarë kishte shkuar mirë, dhe çfarë kishte shkuar keq. Vonesat në miratimin e ligjeve, vonesat që u sollën për shkak të dërgimit të ligjeve në Gjykatë Kushtetuese, vonesat në ngritje e institucioneve të para. Dhe duke mbajtur në konsideratë të gjitha problematikat u arrit në një plan veprimi, ku së bashku me partnerët parashikuam disa masa, pikërisht që Reformës në Drejtësi ti jepnim disa energji, me qëllim që të arrinim rezultate më shpejt”, tha ajo. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMuzhaqi: PS, forcë politike e hapur për idetë e reja dhe përfshirjen e të rinjve profesionistë
Artikulli tjetërFico: Nuk ka lidhje mes 2 humbjeve të jetës dhe vaksinës antikovid, vaksinimi do vijojë intensivisht