Meta: Të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol”

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti me kërkesë të tyre një përfaqësi të “Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror”, të cilët kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimmarrjet e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë “Albcontrol” sh.a, që sipas tyre ju kanë cenuar të drejtat legjitime si punëmarrës.

Presidenti Meta, pasi i dëgjoi me shumë vëmendje shqetësimet e tyre, u kërkoi të gjithë kontrollorëve shqiptarë të trafikut ajror, që të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre pa ndërprerje dhe me përgjegjshmëri të lartë, pasi siguria e fluturimeve ajrore në hapësirën territoriale shqiptare, para së gjithash, është një çështje e sigurisë kombëtare të vendit.

Për këtë arsye, kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror duhet të përmbushin misionin dhe detyrat e tyre të qetë dhe të pa shqetësuar, në mënyrë që të shmanget edhe mundësia më e vogël për rreziqe të mundshme në këtë drejtim.

Presidenti Meta i siguroi se do t’i kërkojë Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshillit Drejtues të “Albcontrol” sh.a. dhe Autoritetit të Aviacionit Civil, që me përgjegjësi të marrin çdo masë të nevojshme, dhe pa asnjë vonesë, për t’u ulur dhe për të dialoguar me përfaqësuesit e “Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror”.

Presidenti Meta theksoi se duhen shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe duhen marrë të gjitha masat, në mënyrë që “në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare”.

“Të garantohet funksionimi i përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë i monitorimit dhe kontrollit të trafikut ajror shqiptar. Çdo vendim që merret nga organet drejtuese të “Albcontrol” sh.a., për trajtimin apo kufizimin e të drejtave të kontrollorëve ajrorë për shkak të llojit të punës dhe përgjegjësisë së jashtëzakonshme që ata kanë, duhet të peshohet drejtë dhe të respektojë normat ligjore dhe rregulloret ndërkombëtare dhe ato vendase, ku primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare”, tha Meta.

“Organet drejtuese dhe qeveria shqiptare, duhet t’i japin zgjidhje kësaj situate në përputhje me rregullat, me gjendjen që ka diktuar kufizimet e të drejtave të kontrollorëve dhe duke iu referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, lidhur me trajtimin e kontrollorëve ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga COVID-19”, u shpreh Meta.

“Qeveria shqiptare dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol” sh.a., duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Evropian, i ka dërguar në mënyrë të përsëritur, duke orientuar edhe për zgjidhje konkrete në lidhje me rastin në fjalë”, tha Meta.

“Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin që të garantojë që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurt për fluturimet ajrore”, përfundoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.