TIRANË, 31 mars /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në Shirokë, i cili u shpreh se ajo ka refuzuar të bashkëpunojë me qeverinë për projekte të ndryshme për zhvillimin e Shkodrës.
“Edi Rama bredh nëpër Shqipëri me të vetmen alternativë që i ka mbetur: sulmet ndaj opozitës. Pas 8 vjet dështimesh në çdo fushë, pas 8 vitesh ku të vetmit që fituan ishin oligarkët e tij, pa asnjë bilanc konkret dhe asnjë arritje, Edi Rama, i lodhur dhe i pashpresë mundohet të hedhë baltë mbi PD, drejtuesit dhe anëtarët e simpatizantët e saj, si e vetmja mënyre komunikimi që i ka mbetur për të folur me shqiptarët”, tha Ademi.
“Sot nga Shkodra ai më sulmoi me gjuhën dhe fjalorin e vetëm që ai njeh, atë të fyerjes dhe sharjes. Shkodra e qytetarisë dhe e kulturës nuk e ka pranuar as në kohët e egra të komunizmit arrogancën e pushtetit. Aq më pak mund ta pranojë sot”, theksoi Ademi.
“Duke sulmuar Shkodrën, qytetarët e saj dhe mua si kryetare e bashkisë, Edi Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se dëshmon frikën dhe dobësinë e dikujt që po jeton ditët e fundit të pushtetit. Njeriu që s’ka mbajtur asnjë premtim dhe që e ngeci Shqipërinë për 8 vjet, sot sillet rrugëve të vendit me arrogancë, por lodhet më kot”, u shpreh Ademi.
“Ai e ka të qartë se në 25 prill do të largohet me votën masive të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Sepse ndryshimi po vjen dhe shqiptarët mezi po e presin. Në 25 prill Rama dhe arroganca e tij do të largohen dhe Shqipëria qytetare do të fitojë”, tha Ademi. /j.p/r.e/























