MONZA, 29 mars /ATSH/ – Për ata që duan të vrapojnë jashtë, i ftohti i dimrit mund të përfaqësojë një pengesë të vogël, që mund të kapërcehet lehtësisht duke marrë disa masa paraprake, shkruan faqja ”Il Giornale”.
Giuseppe Felici, një trajner atletike, ka hartuar një sërë këshillash të dobishme, pavarësisht nga temperaturat e ftohta.
“Vrapimi në të ftohtë nuk është vetëm i mundur, por nëse bëhet me mençuri, mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për trupin tonë, para së gjithash forcimin e sistemit tonë imunitar”, shpjegon trajneri.
Para së gjithash, si duhet të vishemi?
”Këshilla ime është të vishni veshje teknike më të fundit, të afta të heqin djersën, duke ruajtur një nivel të mirë termik. Ngjyrat e errëta thithin rrezet e diellit dhe prandaj preferohen. Rrobat duhet të jenë të ngushta dhe kjo lejon të zvogëlojë ajrin midis pëlhurave”, thotë ai.
”Mbroni mirë kokën, duart dhe këmbët dhe sidomos për këto të fundit mos harroni të vishni këpucë teknike dhe të papërshkueshme nga uji. Më në fund, këshilla ime është që të visheni në shtresa në mënyrë që të hiqni lehtë një shtresë pas disa minutave të para, kur jeni tashmë të nxehtë”, thekson trajneri.
Në cilën orë të ditës është më mirë të stërvitesh?
“Çfarëdo kohe që të zgjidhni, trupi juaj do të jetë në gjendje të përshtatet në mënyrë optimale, gjëja e rëndësishme është që të jetë në stomak bosh (të paktën 2 orë pas një vakti) dhe të hidratuar mirë”, shton Felici.
Çfarë ndryshimesh në programin e trajnimit duhet të bëjmë?
“Për të optimizuar trajnimin, unë rekomandoj që të merrni një monitor të rrahjeve të zemrës dhe ta mbani nën kontroll pulsin tuaj. Është e rëndësishme t’i kushtohet më shumë kohë ngrohjes, e cila nuk duhet të jetë më pak se 15 minuta”, përfundon ai. /os/























