TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kandidatja e PS-së në qarkun e Durrësit, Klodiana Spahiu tha se, “një sërë projektesh që paraqitëm sot për Durrësin, kërkojnë votën e durrsakëve për PS-në dhe Edi Ramën, që të realizohen. Këto janë investime që kërkojnë domosdoshmërisht votën dhe dëshirën e durrsakëve që PS t’i vazhdojë këto projekte, në sektorë që ndër vite kanë plagë për qytetin tonë”.
Në fjalën e saj, gjatë takimit që zhvilloi sot Kryeministri Edi Rama me kandidatët e PS-së për Durrësin dhe qytetarët e këtij qyteti, Spahiu vuri në dukje se “Durrësi ishte një ndër qytetet që u dëmtua më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe vazhdojmë të dëmtohemi nga pandemia, dhe askush nuk e kishte menduar që në një kohë rekord, ne do të fillonim të rindërtonim Durrësin nga e para në të gjitha ato objekte që janë dëmtuar rëndë”.
“Por mbi të gjitha një nga plagët e kahershme të Durrësit, vendgrumbullimi i mbetjeve, sot është një projekt fantastik, që është Ekoparku, që sot ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Ishim para pak ditësh në atë vend për hedhjen e inerteve, por sot aty po vazhdon të mbillen intensivisht mijëra pemë dhe do të bëhet parku më i bukur rekreativ, jo vetëm për qarkun e Durrësit por edhe për zonat rreth”, – tha ajo.
Sipas saj, zona e Spitallës që ne e kemi quajtur periferia e Durrësit, sot po ndryshon rrënjësisht. Kjo zonë do të kthehet në një Durrës të ri me projekte fantastike, me kopshte, shkolla dhe 9 mijë apartamente të reja.
“Jam e bindur që ju e doni Durrësin të transformuar në të gjitha projektet e që PS ka, dhe është PS ajo që do t’i kthejë 30 ditët në 30 netë të bardha për ndryshimet e jashtëzakonshme që do të ketë Durrësi në vazhdim”, – tha ajo. /a.a/r.e/












