BERLIN – Parlamenti gjerman miraton planin e rimëkëmbjes së BE

BERLIN, 26 mars /ATSH-AFP/ – Parlamentarët gjermanë miratuan sot planin e rimëkëmbjes postCovid të BE-së, një hap vendimtar në ratifikimin e këtij fondi prej 750 miliardë eurosh, i financuar nga një borxh i përbashkët i paparë.

Bundesrat, Dhoma e Sipërme e Parlamentit, e miratoi këtë plan sot në mëngjes, pas miratimit nga Bundestag (Dhoma e Ulët) të enjten.

“Ky votim është një sinjal i qartë për një Europë të bashkuar dhe të fortë”, e mirëpriti miratimin ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz.

Në mënyrë që të ratifikohet plotësisht, ligji i fondit duhet ende të firmoset nga kreu i shtetit gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier, që mund të vonohet, sepse e djathta ekstreme gjermane ka njoftuar synimin e saj për të paraqitur një apel.

Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese së pari do të duhet të vendosë mbi pajtueshmërinë e projektit me Ligjin Themelor Gjerman, i cili vendos kufij shumë të rreptë për gjithçka që mund t’i ngjajë një bashkimi të borxheve publike në Europë.

I negociuar verën e kaluar nga 27 vendet anëtare të BE-së, ky fond synon të merret me pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 në Europë.

Ai bazohet në një mekanizëm të paparë të borxhit të përbashkët për të gjitha vendet anëtare dhe një pjesë e parave do të paguhen në formën e subvencioneve (312,5 miliardë), në veçanti për vendet që kanë pësuar ndikimin më të madh nga pandemia./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.