TIRANË, 24 mars /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi sot Raportin Tremujor të Politikës Monetare, ndërsa vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, për lekun në nivelin 0.5 %.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se, “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektivin tonë prej 3 %”.
Sipas tij, pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar edhe normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.1 %.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në BSH në nivelin 0.90 %, bëri të ditur Guvernatori.
Sejko thekoi se, “politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, duke synuar të sigurojë kushte financimi të favorshme për rritjen e ekonomisë dhe për kthimin e inflacionit në objektiv”. /a.a/r.e/












