Tre të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në një protokoll bashkëpunimi të Akademisë së Shkencave me Qendrën Kombëtare të Librit

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Akademiku Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (SSHSHA) dhe Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) nënshkruan sot në Akademinë e Shkencave, në Tiranë, një protokoll bashkëpunimi për veprimtaritë e përbashkëta që do të kryejnë gjatë vitit 2021.

Ky bashkëpunim ka në themel tre veprimtari të rëndësishme që lidhen me datëlindjet jubilare të tre shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë shqipe; 150-vjetori i lindjes së Gjergj Fishtës, 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli dhe 110-vjetori i lindjes së Migjenit.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit të Ministrisë së Kulturës, u shpreh se bashkëpunimi me Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka lindur si nevojë e mbështetjes shkencore dhe eventeve me rëndësi kombëtare.

Ndërkohë, akademiku Pëllumb Xhufi, kryetar i SSHSHA i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, tha se ky bashkëpunim që nis duke kujtuar tre të mëdhenjtë e letërsisë shqipe: Frishta, Dritëro Agolli e Migjeni, do të shtrihet në një bashkëpunim të mëtejshëm me të tjera veprimtari.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.