Ballina Aktualitet

Festa e Sulltan Nevruzit/ Urimet

TIRANË, 22 mars/ATSH/ Besimtarët bektashianë kremtojnë sot ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Autoritetet më të larta të shtetit dhe politikanë uruan sot besimtarët bektashianë për Festën  e Sulltan Nevruzit, e cila shënon fillimin e vitit të ri.

Presidenti Ilir Meta uroi besimtarët. “U bashkohem sot lutjeve për shëndetin tuaj dhe të çdo anëtari të familjes! Një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel bashkë me rigjallërimin e natyrës”, tha ai, ndërsa uroi diell dhe pranverë në zemrën e çdo shqiptari”, u shpreh Meta.
Me rastin e 22 Marsit, Ditës së Sulltan Novruzit dhe 30-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Me këtë rast, Kryetari Ruçi ka uruar besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, për këtë ditë të shënuar.
“Dy ngjarjet e shënuara, të cilat festojmë sot, zbukurojnë jo vetëm jetën e bektashinjve, por të të gjithë shqiptarëve, në këto kohë të vështira të pandemisë, kudo ku ata jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, vendet e tjera të rajonit dhe në Diasporë.
Bektashizmi ka qenë në çdo kohë një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore dhe njerëzore për shqiptarët dhe bektashinjtë rrezatues, misionarë dhe edukatorë të atdhetarizmit, solidaritetit, tolerancës dhe humanizmit”, tha Ruçi.
Sipas tij, “këto vlera dhe këtë forcë të madhe shpirtërore, bektashinjtë e treguan edhe gjatë dekadave kur dhuna politike i ndaloi të ushtronin ritet e tyre në komunitet, në teqetë dhe vendet e shenjta”.
“Forca e qëndresës bektashiane po shfaqet edhe gjatë këtyre stinëve të vështira të pandemisë, duke lehtësuar pasojat e saj të besimtarët dhe të gjithë shqiptarët. Bektashizmi, kjo shkollë e madhe e tolerancës, është njëkohësisht një shkollë e madhe e besimit, fuqisë, mbijetesës dhe rezistencës ndaj të keqes”, tha Ruçi.

Edhe Kryeministri Edi Rama uroi sot besimtarët bektashianë për festën e Sulltan Nevruzit. “Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”, tha Rama.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi përcolli po ashtu urimin në këtë ditë të shenjtë.
“Gëzuar me zemër Festën e Sulltan Nevruzit! Kjo ditë e paqtë dhe simbolike, bashkë me shpresën që përcjell, uroj të na sjellë vetëm mbarësi, begati dhe një të ardhme më të bukur për çdo familje”, tha ajo.
Kryemadhi: Mbarësi gjithë shqiptarëve

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi uroi sot nga Kryegjyshata Botërore e Bektashnjve festën e Sulltan Nevruzit.

Kryemadhi dha mesazhin se “shiu i sotëm le të jetë bereqet për shqiptarët”.

“Do doja që të ishte një ditë me diell, por nganjëherë dhe ky shiu është bereqet. Le të jetë bereqet për familjet e shqiptarëve, në këtë ditë të shënuar të Sulltan Nevruzit, ju uroj mbarësi gjithë shqiptarëve, gjithë besimtarëve bektashinj. Harmonia fetare është një nga forcat tona më të mëdha. Mbarësi dhe ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët. Gëzuar”, tha Kryemadhi.

/m.m/j.p/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbështetja nga AZHBR/ Pularia në Maminas nxjerr në treg vezë organike, ferma drejtohet nga smart technology
Artikulli tjetërAvari në linjën 110kV Bulqizë-Peshkopi/ Pa energji disa zona