Ballina Aktualitet

Në fund të mandatit të tretë paga minimale 400 mijë lekë/ PD tregon përralla, ndryshoi disa herë programin

TIRANË, 18 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot nga Shkodra për synimin e Partisë Socialiste për të rritur pagën minimale në 400 mijë lekë në fund të mandatit të tretë, ndërkohë që solli në vëmendje faktin se deri tani Partia Demokratike e ka ndryshuar disa herë programin e saj lidhur me rritjen e pagës minimale.

Në prezantimin e skuadrës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Shkodrës, ku PS synon të marrë 5 mandate deputetësh, Rama tha se, “plani ynë i veprimit nuk është një program elektoral për të plotësuar dëshirat e të gjithëve deri në 25 prill e pastaj për t’i lënë të gjithë në radhë për të marrë tramvajin e Tiranës”.

“Biznesi i vogël do t’i ketë taksat dhe TVSH zero deri në vitin 2029 me PS, siç i ka sot. Pra, nuk është një premtim që do të ndodhë nesër”, tha Rama.

Ndërkohë që në 1 janar 2022, Kryeministri siguroi se, “ne do të heqim tatimin mbi fitimin e të gjitha pagave deri në 400 mijë lekë dhe do të ulim tatimfitimin e pagave nën 2.5 milionë lekë”.

Po ashtu, Rama tha se “do të rrisim pagën minimale më tej”.

“Është shumë interesante, është siç e kisha parashikuar. Në momentin kur ne thamë se do ta çojmë pagën minimale 400 mijë lekë në fund të mandatin të tretë, PD ndryshoi programin, e kishte 360 mijë lekë e bëri 300 euro me kursin e këmbimit natyrisht duke synuar ta rrisë. Jam i bindur se deri në 25 prill do ta bëjë 420 mijë lekë”, tha Rama.

Ndërkohë, vijoi ai, “ne e kemi shumë të qartë se vendosja e pagës minimale 300 mijë lekë është një hap i rëndësishëm përpara në krahasim me ku ishim”.

“Ne e kemi rritur 50 % pagën minimale por është e pamjaftueshme dhe do ta çojmë më tutje, siç e kemi planin tonë të veprimit, duke e rritur vit pas viti me garancinë se do të jetë 380 mijë dhe me synimin që do të shkojë 400 mijë. Për të mos treguar përralla si ata që erdhën në Shkodër dhe krijuan zonë COVID në mes të Shkodrës, duke thyer komplet rregullat, duke vënë në rrezik shëndetin e ndjekësve të tyre të cilët nuk e kuptoj pse ulërijnë si në fillim të viteve ’90 me të njëjtat klithma”, tha Rama. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Gjermania përshëndet “gjuhën shumë të qartë” të Biden për Rusinë
Artikulli tjetër“Wikipedia” me pagesë për kompanitë e mëdha teknologjike