TIRANË, 18 mars /ATSH – I. Vata/ Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi zhvilloi një takim informues online, me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë.
Ministri Çuçi informoi dhe iu përgjigj interesit të ambasadorëve për punën dhe progresin e bërë nga Ministria e Brendshme dhe institucionet e varësisë, në kuadër të zbatimit të prioriteteve që lidhen me rritjen e sigurisë dhe masat për konsolidimin e shtetit ligjor. Ministria e Brendshme, si institucioni kryesor përgjegjës për zbatimin e Kapitullit 24, ka përmbyllur reforma të rëndësishme ligjore dhe po bën përpjekje të forta për zbatimin me efikasitet.
Ministri i Brendshëm prezantoi rezultate konkrete në disa fusha, e veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar në kuadër të “Operacionit Forca e Ligjit”, luftën kundër pastrimit të parave me burim kriminal, kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, masat për të goditur korrupsionin në radhët e policisë.
Më tej, Çuçi u ndal tek rezultatet e njësisë policore për kapjen e personave në kërkim, e krijuar në 2019, e njohur si “Fast Albania”, si dhe modernizimin dhe shtrirjen e teknologjisë në Policinë e Shtetit.
Ai foli për menaxhimin e kufirit, masat për frenimin e azilit të paligjshëm, si dhe nënvizoi rezultatet e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend që ka marrëveshje me gjithë agjencitë europiane për çështjet e brendshme dhe migracionin. Ministri shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vendeve partnere.
Ministri informoi gjithashtu ambasadorët për punën e MB-së, për hartimin e publikimin e listave zgjedhore dhe detyrimeve në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga Kodi Zgjedhor.
Po ashtu, ministri Çuçi prezantoi gjatë takimit prioritetet për vitin 2021, që janë lufta kundër krimit të organizuar, rritjen e parametrave të sigurisë publike, mbështetjen e procesit elektoral sa i takon fushës së përgjegjësisë, mirëmenaxhimin e lëvizjeve të qytetarëve dhe mallrave në kufi, procesin e integrimit dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe riorganizimin e Policisë së Shtetit, duke përmirësuar menaxhimin e burimeve njerëzore e duke riorganizuar stacionet të policisë në varësi të numrit të banorëve për zonë.
/r.e/


























