Ballina Aktualitet

Meta: Të sëmurët me COVID-19 nuk po trajtohen në kohë me oksigjen, të ndalohet tregu i zi

TIRANË, 18 mars /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me situatën e pandemisë dhe mostrajtimin e të sëmurëve me oksigjen.

Në reagimin e tij, Meta shprehet se mostrajtimi me oksigjen i të prekurve nga koronavirusi dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi është e pafalshme.

“Rëndimi i situatës shëndetësore të shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen. Për këtë është këmbëngulur, që trajtimi me oksigjen teknikisht të certifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital. Edhe projektet ndërkombëtare të ndihmës antikovid kanë synuar pikërisht këtë: Trajtimin sa më parë nga shërbimi mjekësor parësor me oksigjenoterapi të të sëmurëve”, shprehet ai.

Po ashtu, Meta shton se, “është e rrezikshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut. Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik. Përgjegjësit para ligjit”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – OKB: Bllokimet pandemike shkaktuan 10 trilionë dollarë dëme në ekonominë globale
Artikulli tjetërKPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e Korçës, Olsi Xhavella