SIDNEJ, 16 mars /ATSH/ – Australia nuk ka plane për të ndaluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca COVID-19, thanë sot autoritetet më të larta të vendit, edhe pse disa vende europiane ndaluan administrimin e vaksinës pas raporteve të efekteve të mundshme anësore, sipas Reuters.
“Ndërsa Agjencia Europiane e Barnave po heton këto ngjarje, ajo ka përforcuar pikëpamjen se vaksina AstraZeneca COVID-19 është e suksesshme në mbrojtjen kundër COVID-19 dhe duhet të vazhdojë të përdoret”, tha kryeshefi për Mjekësinë i qeverisë australiane, Paul Kelly në një deklaratë.
Kelly tha se qeveria është e sigurt në procesin e vaksinimit pasi aktualisht nuk kishte prova se vaksina shkaktonte mpiksjen e gjakut, megjithëse efektet anësore të raportuara do të hetoheshin si një “masë paraprake”.
Disa vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Poloninë, vazhdojnë të përdorin vaksinën.
AstraZeneca tha të dielën se 17 milionë njerëz ishin vaksinuar në Bashkimin Europian dhe BM nuk kishte prova të një rreziku në rritje të mpiksjes së gjakut.
Shumica e 25 milionë australianëve do të marrin AstraZeneca dhe autoritetet kanë siguruar gati 54 milionë doza.
Uellsi i Ri i Jugut, shteti më i populluar i Australisë, nuk raportoi sot asnjë rast me COVID-19.
Australia ka raportuar mbi 29 100 raste dhe 909 vdekje që nga fillimi i pandemisë./ a.jor.












