TIRANË, 11 Mars/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.
Gjatë ditës së sotme janë realizuar nga Drejtoritë Rajonale të AKU-së 346 inspektime dhe monitorime në bazë të fushës së veprimtarisë të planit mujor të inspektimit dhe mbi bazën e denoncimeve.
Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 14 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit.
Referuar planit të marrjes së mostrave janë marrë 68 mostra në monitorim të produkteve ushqimore.
Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të taskforcës antikovid” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 577 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve.
/m.m/j.p/r.e/












