TIRANË, 5 mars/ATSH/ Partia Demokratike kallëzoi në SPAK ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, drejtorin e Portit të Durrësit, Pirro Vengu, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe kompaninë koncesionare në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të kalatës së Portit të Durrësit.
Në njoftimin për shtyp, PD thekson se, “kalata iu dha me koncesion për 5 vjet një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale, në shkelje flagrante të kërkesave për tenderin”.
“Pasuria publike me vlerë 30 milionë euro, është bërë me procedurë të kufizuar, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Koncesioni iu dha një kompanie me pronarë të regjistruar në parajsa fiskale, në kundërshtim me përcaktimet e tenderit”, thekson PD.
PD konsideron se ky është një rast ideal që SPAK të sprovohet para qytetarëve duke treguar me vepra funksionimin e ligjit për këdo që e ka shkelur atë, pavarësisht nëse është i pasur apo me pushtet.
/r.e/























