Ballina Ekonomi

Programi IPARD III/ Zgjerohet mbështetja për fermerët gjatë vitit 2021

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Shqipëria përgatitet për programin IPARD III që adreson masa të reja mbështetëse për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë gjatë 2021.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po përgatit strukturat përkatëse për zbatimin e programit IPARD III dhe fishat e masave të reja.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca bën të ditur se, sot zhvilloi një takim virtual me grupin e punës që po kryen studimet sektoriale për ndërtimin e Programit IPARD III.

“Së bashku me Autoritetin Manaxhues dhe MBZHR, po avancojmë këtë proces për të përfshirë në Program nevojat për financim e mbështetje të zinxhirit bujqësor që sjell zhvillimin e synuar të sektorit”, tha Krifca.

AZHBR ndërkohë që administron IPARD II, për të alokuar fondet tek fermerët, po punon paralelisht me masat e reja të cilat do ta zgjerojnë gamën e mbështetjes së programit IPARD për zhvillimin bujqësor në vendin tonë.

AZHBR ka nisur ndërkohë menaxhimin e aplikimeve nga thirrja e tretë, të programit IPARD II që mbështet me grante investimet në fermë dhe përpunimin e fruta perimeve.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 29.1 milionë euro nga të cilat 75 % ose 21.82 milionë euro kontribut i BE dhe 25 % ose 7.28 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdryshimet ligjore të SPAK, të konsultuara me partnerët ndërkombëtarë/ Kraja: Mbi 500 dosje të hetuara
Artikulli tjetërSiguria ushqimore/ 355 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin