Ndryshimet ligjore të SPAK, të konsultuara me partnerët ndërkombëtarë/ Kraja: Mbi 500 dosje të hetuara

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kreu i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja ka deklaruar të mërkurën në mbrëmje se ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria për sa i takon veprave penale në juridiksionin e SPAK janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Kreu i SPAK, Kraja, tha se këto ndryshime ligjore të propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë të nevojshme për të rritur efikasitetin e punës së SPAK. Ai tha se në një vit punë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka hetuar mbi 500 dosje, janë dhënë vendime dënimi për 30 apo 40 të pandehur nga gjykata, me vendime konfiskimi që shkon deri në 300 mijë metra katrorë tokë që i kthehen shtetit apo deri në 5 milionë euro që i kthehen shtetit në administrim.

“Ka një nismë ligjore hartuar në Ministrinë e Drejtësisë fillimisht dhe që ka patur konsultime të gjera dhe pastaj ka kaluar në Kuvend për miratim. Ne kemi qenë të përfshirë në konsultime, veçanërisht tek pjesa ligjore që lidhet me SPAK-un dhe disa ndryshime të Kodit Penal dhe procedurës penale që lidhen drejtpërdrejt me punën e SPAK”, tha Kraja.

“Kemi qenë të përfshirë edhe më përpara, duke ngritur problematikën që kemi konstatuar nga puna jonë 1-vjeçare. Ne kemi konstatuar se ka patur problematikë ligji në aspektin e zbatimit. Po ashtu kemi vlerësuar se ka patur problematika dhe duhej një ndërhyrje tek pjesa ligjore që lidhet me kopetencat, konkretisht neni 75, ku  kishim një disporporcion mes veprave penale që kemi në juridiksion për të hetuar sa i takon krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi tek kjo e fundit, SPAK kishte në kompetencë për të hetuar çfarëdolloj krimi korruptiv dhe atë të rrugës, duke ngarkuar punën e hetuesve. Këto ndryshime ligjore të propozuara tashmë rregullojnë këtë pikë dhe gjithashtu përmes ndryshimeve ligjore tashmë edhe vepra penale për “Financim të veprave Terroriste” për rastet individuale është vepër penale pjesë e hetimeve të SPAK”, – tha Kraja.

Kreu i SPAK deklaroi se partnerët ndërkombëtarë kanë qenë pjesë e hartimit të paketës së ndryshimeve ligjore që prekin SPAK.

“Ky është viti i parë i punës sonë dhe po punojmë për bilancin 1-vjeçar. Pritshmëria ka qenë shumë e madhe. Padiskutim ka patur prurje shumë të mëdha nga individë apo institucione. Veprimtaria ka qenë shumë e madhe dhe nuk kemi patur mundësi selektimi. Në këto kushte, volumi i punës u kthye në një instrument bllokuese për institucionin, duke na vështirësuar punën. Këto elemente të propozuara për ndryshim i kemi konstatuar që në fillim dhe arriti një kohë që besojmë ramë dakord që duhej bërë ky ndryshim ligjor. Në hartimin e kësaj pakete ndryshimesh kanë qenë prezent dhe Misioni EURALIUS, OPDAT etj.”, – tha Kraja.

Në lidhje me “peshqit e mëdhenj”, Kraja tha se ky koncept nuk ekziston në drejtësi, por garantoi se çdo person që shkel ligjin nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.

“Gjatë vitit të kaluar kemi hetuar mbi 500 procedime penale. Koncepti i peshqve të mëdhenj apo të vegjël është koncept figurativ, nuk është koncept ligjor. Parimi ynë i punës është që ata që shkelin ligjin duhen ndëshkuar dhe nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar. Muajin e fundit janë dhënë vendime dënimi për 30 apo 40 të pandehur nga gjykata, me vendime konfiskimi që shkon deri në 300 mijë metra katrorë tokë që i kthehen shteti apo deri në 5 milionë euro që i kthehen shtetit në administrim. Padyshim që do të ketë më shumë në të ardhmen”, – deklaroi Kraja.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.