AIDSSH: Projekti i BE-së mbështet gjetjen e varreve të zhdukur nga komunizmi

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Projekti i Bashkimit Europian “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese; adresimi i çështjeve të prrsonave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit”, i zbatuar nga ICMP-AIDSSH, ka një linjë të rëndësishme për mbështetjen e shoqatave të të drejtave të njeriut dhe atyre në fushën e drejtësisë tranzitore.

Në faqet e AIDSSH do të prezantohen me radhë projektet e shoqatave fituese, të mbështetura nga BE, për t’u dhënë mundësi të gjithë familjarëve, dëshmitarëve apo të interesuarve për fatin e të zhdukurve në diktaturë, të lidhen me organizatat, institucionet, të aplikojnë dhe të ndjekin aktivitetet përkatëse.

Fondacioni kujto.al, arkiva online e viktimave të komunizmit, me kontribute të spikatura për zbardhjen e së shkuarës dhe komunikimin aktiv me shoqërinë, po punon për projektin “Pa varr”, shënjimi i vendvarrimeve në Shqipëri, dokumentar i bazuar në historitë e të afërmve të të zhdukurve gjatë diktaturës”.

Projekti do të sjellë në vëmendjen e publikut, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe studiuesve, çështjen e personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste.

Sipas të dhënave zyrtare, ka rreth 6000 të zhdukur gjatë komunizmit, të cilët ende kërkohen nga familjarët. Autoritetet shtetërore duhet të përpiqen maksimalisht për të mundësuar gjetjen e trupave/mbetjeve mortore, si dhe ta njohin shoqërinë me krimet e diktaturës. Shqiptarët duhet të informohen në mënyrë të vazhdueshme dhe duhen ndërgjegjësuar për krimet e së shkuarës, nëpërmjet fakteve dhe dëshmive që e nxjerrin në dritë atë.

Bazuar në dëshmitë e të afërmve ose personave që kanë të dhëna mbi zhdukjen e viktimave gjatë diktaturës, Fondacioni kujto.al synon të krijojë hartën digjitale të vendvarrimeve.

Po kështu, të realizojë një dokumentar ku të bëjë publike, për herë të parë, skemat e përdorura për zhdukjen e viktimave, bazuar në dokumente arkivore (me titra anglisht/shqip, duke rritur burimet edhe në gjuhë të huaj).

Projekti do t’u mundësojë studiuesve shqiptarë dhe të huaj informacion bazë mbi këtë fushë, lehtësisht të aksesueshëm, duke rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë për krimet komuniste. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.