Ballina Flash

Përkujtohet Hajrie Rondo, artistja e gjithë zhanreve të artit skenik

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Përkujtohet sot në ditën e saj të lindjes artistja shqiptare, Hajrie Rondo.

Artistja lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në Qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në “Institutin e Lartë të Arteve” për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.

Në karrierën e saj shumëvjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë arriti të lëvronte në të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet me rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.

Përveçse një aktore brilante, artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së teatrit të Fierit, që në periudhën kur ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.

Disa nga rolet e saj më të rëndësishëm janë:

Mara, “Vëllezër dhe shokë” 1980

Xifja, “Agimet e stinës së madhe” 1981

Lima, “Nëntori i dytë” 1982

Tana, “Përrallë nga e kaluara” 1987

“Pesha e kohës”, 1988

“Ne dhe Lenini” 2009

Semihaja, Ballkan Pazar 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.

Në maj 2015 Hajrie Rondo u rikthye sërish në skenë me shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe me filmin “Buka” interpretime të cilat i realizoi pas një pauze disavjeçare që ajo bëri për shkak të një beteje me një sëmundje të rëndë. Ajo u nda nga jeta më 9 shtator 2017.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoalicioni opozitar/ Valteri: Një nga projektet më të turpshme të klasës politike
Artikulli tjetërTreguesit fiskalë/ Të ardhurat në buxhet llogariten 35.2 miliardë lekë, shpenzimet 31.4 miliardë lekë