Treguesit fiskalë/ Të ardhurat në buxhet llogariten 35.2 miliardë lekë, shpenzimet 31.4 miliardë lekë

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhet gjatë muajit janar llogariten 35.2 miliardë lekë, ndërsa janë realizuar 31.4 miliardë lekë shpenzime.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi treguesit fiskalë sipas të cilëve niveli i suficitit në muajin e parë të vitit 2021 rezultoi në rreth 3.7 miliardë lekë, ose 218 milionë lekë më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Për periudhën 1-mujore ishte planifikuar deficit në masën rreth 1.65 miliardë lekë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e parë të vitit 2021 rezultojnë me një realizim në masën 84.4 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 3.3 % më i ulët ose 1.07 miliardë lekë më pak.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 1 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 5.3 % të planit vjetor.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat (përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 32.2 miliardë lekë, 32 milionë më shumë ose +0.1 % krahasuar me vitin 2020, si dhe 490 milionë ose 1.5 % më pak se plani vjetor për vitin 2021. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.