Ballina Flash

Përkujtohet aktori Minella Borova në ditën e lindjes

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Përkujtohet sot aktori Minella Borova në ditën e lindjes.

Minella Borova lindi në qytetin e Korçës më 22 shkurt 1947. Në qytetin e tij të lindjes ndoqi arsimin bazë dhe atë të mesëm, ndërsa do të përfundonte studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve. Menjëherë pas diplomimit të tij në specialitetin aktor, ai emërohet pranë trupës profesioniste të teatrit A.Z.Cajupi për 10 vjet dhe më vonë do të kthehej sërish në Akademinë e Arteve, por këtë herë për të dhënë mësim si pedagog i “Mjeshtrisë së Aktorit”.

Aktori ka pasur një karrierë të gjatë dhe ka qenë pjesë e skenës dhe e kinematografisë duke u shquar për talentin e tij dhe aftësitë e jashtëzakonshme interpretative. Profili i tij si aktor lirik dhe romantik e bënë atë që të spikaste në fushën e aktrimit ku gjatë karrierës së tij do të vlerësohej disa herë si aktori më i mirë i festivaleve të ndryshme, si në teatër ashtu edhe në kinema.

Në teatër aktori numëron mbi 50 personazhe të interpretuara, kurse në kinema rreth 20 role.

Disa nga më të suksesshmit janë në produksionet: “Montatorja”, 1970, “Mëngjese lufte”, 1971, “Rrugë të bardha” 1974, “Udhëtim në pranverë” 1975, “Pylli i lirisë” dhe “Përballimi” më 1976, “Shoku ynë Tili” 1981, “Rrethimi i vogël” 1986, “Botë e padukshme” 1989.

Në fillim të viteve ’90 aktori emigroi në Argjentinë, vend ku do të vazhdonte të ushtronte profesionin e aktorit dhe të merrte pjesë në festivale ndërkombëtare. Në Buenos Aires të Argjentinës ai do të jetonte deri më 30 qershor 2013, kohë ku edhe u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM- Johnson pritet të prezantojë planin për daljen nga lockdown
Artikulli tjetërBRUKSEL- BE: Sanksione të reja ndaj Rusisë mbi çështjen Navalny