GREQI – ”Medea” mbyll portet kryesore të vendit

ATHINË, 16 shkurt /ATSH-ANA/ – Të gjitha lundrimet nga portet kryesore greke të Pireut, Rafinas dhe Lavrios janë ndaluar për shkak të erërave të forta në detin Egje, shkaktuar nga stuhia ”Medea”, thanë autoritetet greke.

Lundrimet në gjirin e Argosaronicas lejohen vetëm për anije të tipit të mbyllur.

Programet e linjave Aja Marina-Nea Stira dhe Arkica-Edipsos janë pezulluar gjithashtu, për shkak të fenomeneve të rënda të motit që kanë goditur Greqinë që nga e shtuna e kaluar.

Pasagjerët duhet të kontaktojnë autoritetet lokale të portit dhe agjencitë e udhëtimit për anulime të mundshme.

Ndërkohë, furnizimi me energji elektrike në ishujt Skyros, Skopelos, Alonnisos dhe Skiathos u ndërpre pas erërave të forta të stuhisë, që shkaktuan rënien e pemëve.

“Ndërprerje të energjisë rezultuan edhe në periferitë veriore të Athinës, si rezultat i erës së fortë, dëborës dhe temperaturave të ulëta”, shtoi shpërndarësi lokal i energjisë elektrike.

Gjithashtu, pas një takimi për situatën, Agjencia e Mbrojtjes Civile, njoftoi se autostrada Athinë-Lamia, është mbyllur për 24 orë, për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.