Ballina Ekonomi

Taksa e sheshtë 9 %/ Teliti: Të gjithë do të fitojnë, si të punësuarit ashtu edhe arka e shtetit

TIRANË, 8 shkurt /ATSH – I. Vata/ “Me taksën e sheshtë 9 %, të gjithë do të fitojnë”, deklaroi sot këshilltari ekonomik i Partisë Demokratike, ndërsa prezantoi programin ekonomik të PD-së.

Ai tha se rritja ekonomike prej të paktën 5.5 % çdo vit, e shoqëruar me uljen e evazionit fiskal si pasojë e miradministrimit, përmirësimin e ndjeshëm të klimës së të bërit biznes dhe hapja e vendeve të reja të punës, do të kompensojë tërësisht të ardhurat e munguara në arkën e shtetit si pasojë e uljes në 18 % të sigurimeve shoqërore.

“Me uljen në 18 % e sigurimeve shoqërore, sipërmarrësi do të ketë më shumë para në llogarinë e tij për të investuar e zgjeruar biznesin e tij, me kushte më të mira pune e paga më të larta për punonjësit. Me taksën e sheshtë 9 %, të gjithë do të fitojnë, si të punësuarit, dhe profesionistët, si biznesi, ashtu edhe arka e shtetit”, tha ai.

Po ashtu Teliti shtoi se gjithashtu, çdo biznes i vogël me xhiro vjetore deri në 140 mijë dollarë në vit, s’do paguajë as TVSH, as tatimfitim dhe totali i taksave dhe tarifave vendore do të ketë një tavan prej 0.5 % të xhiros.

“100 mijë bizneset e vogla familjare do kenë mundësinë të dalin nga gjendja e vështirë financiare që gjenden sot, duke rritur veten e tyre dhe duke dhënë kontribut të qenësishëm në ringritjen ekonomike të vendit tonë. Shteti nuk falimenton nga këto politika, përkundrazi fuqizohet. Ajo që e dëmton ekonominë dhe arkën e shtetit janë mungesa e konkurrencës së lirë e të ndershme, shpërdorimi i parasë publike për lukse zyrash, tendera pa garë dhe PPP. Shqipëria fiton me programin ekonomik të PD-së”, tha ai. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Rimerr portofolin e humbur… 53 vjet më vonë
Artikulli tjetërCOVID- 19/ Ministria e Shëndetësisë: 3485 testime, 684 të shëruar, 953 raste të reja dhe 12 humbje jete në 24 orët e fundit