Ndriçohet pas 8 vitesh kalaja e Rozafës në Shkodër/ E vizitueshme edhe gjatë mbrëmjes

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Pas 8 vitesh errësirë Kalasë së Rozafës në Shkodër i rikthehet ndriçimi.
Ndriçimi i kalasë u bë i mundur nga Ministria e Kulturës, që parashikon investimin në 14 kala, mes tyre edhe në atë të Shkodrës. Falë këtij projekti janë ndriçuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës.
Prefektura e Shkodrës publikoi sot pamje nga kalaja e ndriçuar, ndërsa thekson se “rikualifikimi i kalasë së Rozafatit, përmes lojës së dritave, do ta kthejë atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje”.
Kështjella Rozafa po i kthehet qytetit, si një piknisje për rijetëzimin e kulturës dhe sinergjisë
Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.