COVID-19 – Johnson: Varianti britanik mund të jetë më vdekjeprurës

LONDËR, 22 janar /ATSH-AFP/ – Varianti britanik i koronavirusit të ri, më përhapës, duket se lidhet me një vdekshmëri më të lartë, deklaroi kryeministri Boris Johnson.

“Gjithashtu tani duket se ka prova se varianti i ri, varianti i cili u identifikua për herë të parë në Londër dhe në juglindje të Anglisë, mund të jetë i lidhur me një shkallë më të lartë të vdekshmërisë”, theksoi Boris Johnson në një konferencë shtypi në Downing Street.

“Për personat e moshuar, në të 60-tat, rreziku i vdekshmërisë është 10 në 1 000 me virus, një shifër që arrin 13-14 në 1 000 me variantin e ri”, theksoi këshilltari shkencor i qeverisë Patrick Vallance.

Britania e Madhe regjistroi dy ditë më parë 1 820 të vdekur nga COVID-19, një rekord ditor, ndërkohë që kryeministri Boris Johnson ka parashikuar se bilanci do të vazhdojë të rëndohet.

Këto shifra të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e çojnë në 93 290 viktima bilancin ttoal të pandemisë në Britaninë e Madhe, më i rëndi në Europë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.