Ballina Flash

Risi në lehtësimin e procedurave konsullore pranë Zyrës Konsullore Athinë

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Takimi për rinovimin e dokumenteve biometrikë pranë Zyrës Konsullore Athinë, caktohet nga aplikanti duke e përzgjedhur vetë datën më të përshtatshme.

Ambasada e Shqipërisë në Greqi njoftoi sot se, “kjo risi synon lehtësimin e mëtejshëm të procedurave konsullore dhe  gjithashtu heqjen përfundimtare të barrierave burokratike gjatë procesit kërkesë-shërbim”.

“Ju mund të aplikoni në www.e-Albania.al nëpërmjet telefonit tuaj celular ose kompjuterit tuaj personal me kosto zero dhe të merrni shërbimin në datën e preferuar, e cila mund të jetë dhe brenda ditës dhe orarit zyrtar në rast se nuk janë plotësuar kuotat ditore të takimeve”, thuhet në njoftim.

“Arritja e një standardi të tillë në shpejtësinë e marrjes së shërbimit bëhet e mundur falë përkushtimit të gjithë faktorëve dhe burimeve njerëzore të angazhuar në këtë proces”, theksohet më tej.

“Të gjithë aplikantët të cilët kanë humbur datën e takimit për shkak të mbylljes kombëtare greke (lockdown) ose për shkak të fenomenit Spam (marrja e datës së takimit në zarfin e mesazheve të padëshiruar) mund të na dërgojnë në postën tonë elektronike [email protected] kodin e tyre shumëshifror 03AT….. si dhe datën ose datat e tyre të preferuara për një takim të ri, me qëllim finalizimin e gjithë aplikimeve të pranuara në sistem”, përfundon njoftimi. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Dy milionë raste me COVID-19, pritet forcimi i kufizimeve
Artikulli tjetërSamsung prezanton Galaxy S21, risi prania e IA