Meta: Masakra e Reçakut, dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi sot ditën e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Nderojmë sot me dhembje dhe respekt të thellë kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm, që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit”, tha Meta.

“Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave”, theksoi Meta.

“Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane”, u shpreh Meta.

“Mirënjohje përjetë Ambasadorit William Walker për denoncimin historik, që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit! Gjaku dhe sakrificat e Martirëve dhe Heronjve të kombit, në themel të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, kurrë nuk do të harrohen”, tha Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.