Një algoritëm parashikon mutacionet e COVID-19

ROMË, 14 janar /ATSH-ANSA/ – Parashikimi i mutacioneve më të mundshme me të cilat SarsCoV2 përpiqet t’i shpëtojë mbrojtjes imunitare dhe vaksinave tashmë është i mundur falë një algoritmi të frymëzuar nga gjuha njerëzore.

Zbulimi vjen nga një grup studiuesish i Massachusetts Institute of Technology (MIT) dhe i botuar në revistën shkencore “Science”.

Pikënisja e kërkimit kishte si synim vëzhgimin e një nga pengesave kryesore për prodhimin e ilaçeve dhe vaksinave, që është aftësia e viruseve për të ndryshuar, për t’i shpëtuar mbrojtjes imunitare, nëpërmjet një mekanizmi të quajtur “shmangia virale.

“Sfida ishte të kuptonim sekretet e këtij mekanizmi shpëtimi dhe zgjidhja ishte po aq origjinale: të kërkosh ndihmë nga inteligjenca artificiale dhe algoritmet e përdorura deri më tani për të studiuar gjuhën”, shpjegojnë studiuesit.

“Ne kemi identifikuar mutacione që, duke ruajtur aftësinë e virusit për të qenë infektiv, e bëjnë pamjen e tij të ndryshme për sistemin imunitar, ashtu si kuptimi i një fjalie mund të ndryshohet duke përdorur fjalë të ndryshme në të njëjtën strukturë gramatikore”, shkruajnë ata në artikull.

Në rastin e viruseve, fjalët janë sekuencat gjenetike të proteinave që gjenden në sipërfaqen e tyre, të tilla, si hemaglutinina për viruset e gripit dhe proteina Spike për SarsCoV2.

Sipas studiesve, ky hulumtim përfaqëson një urë premtuese konceptuale midis gjuhës natyrore dhe evolucionit të viruseve.

Megjithatë, edhe pse këto janë rezultate të vlefshme në këtë kohë, ato duhet të rishikohen nga komuniteti shkencor. / /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.