YouTube pezullon Trump për të paktën një javë

HONG KONG, 13 janar /ATSH-AA/ – YouTube ka pezulluar kanalin e presidentit amerikan, Donald Trump për të paktën shtatë ditë për shkak të shqetësimeve në lidhje me “potencialin e vazhdueshëm për dhunë”.

Ky është kufizimi i fundit në aktivitetet e presidentit amerikan në rrjetet sociale.

YouTube ka konfirmuar pezullimin e kanalit të Trumpit, pasi postoi një përmbajtje tjetër që shkel politikat e saj. Nuk specifikohet se për cilat video bëhet fjalë ose si u bë shkelja.

Masa për bllokimin e veprimtarive të Trumpit në mediat sociale vjen pasi mbështetësit e tij, të nxitur nga retorika e tij, sulmuan Capitol Hill javën e kaluar duke u përpjekur të parandalonin Kongresin të konfirmonte fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

“Pas shqyrtimit dhe në vazhdën e shqetësimeve në lidhje me potencialin e qëndrueshëm të dhunës, ne kemi hequr përmbajtjen e re në kanalin e Donald J. Trump për shkeljen e rregullave tona”, u shpreh YouTube në Twitter.

Siç theksohet, komentet e kanalit do të çaktivizohen për një kohë të pacaktuar.

Kompanitë teknike kanë filluar një pezullim të postimeve në internet të Trumpit, me Facebook dhe Instagram të cilat pezulluan llogaritë e Trumpit të paktën deri në fund të mandatit të tij dhe Twitter që mbylli përgjithmonë llogarinë e tij.

Uebfaqe të tjera, përfshirë Reddit dhe Snapchat, gjithashtu kanë ndaluar Trump./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.