Shqipëria, vëzhguese në Agjencinë e BE për të Drejtat Themelore/ Gjonaj: Kontribuon në afrimin me legjislacionin europian

TIRANË, 13 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Objektivi madhor i Shqipërisë është anëtarsimi në Bashkimin Evropian dhe pjesëmarrja në punën e Agjencisë së BE për të drejtat themelore, si vëzhguese do të kontribuojë në afrimin e saj gradual me legjislacionin e BE-së dhe përgatitjen e saj të suksesshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka takuar këtë të mërkurë, Përfaqësuesen e parë të Shqipërisë në Agjencinë e Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore, Evis Alimehmeti, të cilës i ka garantuar mbështetje të plotë nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë në përmbushje të objektivave të punës së saj për përfaqësimin sa më të profesional në pozicionin e Përfaqësueses pranë FRA, Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore.

Sipas ministres Gjonaj, ky përfaqësim do ndihmojë vendin tonë në arritjen e objektivit madhor, atë të anëtarësimit në BE.

“I sigurova zonjës Alimehmeti mbështetje të plotë nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë, në përmbushje të objektivave të punës së saj për përfaqësimin sa më të profesional në pozicionin e Përfaqësueses pranë FRA, Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore”, tha Gjonaj.

“Pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në punën e Agjencisë si vëzhguese do të kontribuojë në afrimin e saj gradual me legjislacionin e BE-së dhe përgatitjen e saj të suksesshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, nënvizoi Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.