Ballina Ekonomi

Statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar/Denaj: Përfitime në kohë dhe kosto, akses në tregje të reja

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ -Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka ftuar sot sipërmarrësit që të aplikojnë për OEA (Operatori Ekonomik i Autorizuar).

“Në takimet me eksportuesit e produkteve bujqësore, dëgjuam me kujdes këndvështrimin e biznesit për Statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar”, u shpreh Denaj.

Ajo theksoi se aplikimi tek OEA sjell përfitime në kohë dhe kosto dhe akses në tregje të reja si dhe më shumë bashkëpunim tregtar me vendet e BE dhe CEFTA.

Aneta Arapi, Administratore e kompanisë Elian Export shpk, u shpreh se, “në fushën e doganave çdo risi që na ofrohet është e mirëpritur sepse na ndihmon të arrijmë tregje të reja dhe të largëta”.

Çfarë është një OEA?

Operatori Ekonomik i Autorizuar: është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri” të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.

Sipas Kodit Doganor Shqiptar, janë dy lloje statusi për OEA që mund të lëshohen :

“OEA-D për thjeshtime doganore:  nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për thjeshtësime doganore

“OEA-S  për sigurinë dhe mbrojtjen- nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për lehtësira në kontrolle doganore

Nëse një OEA kërkon të përfitojë një thjeshtim/regjim, dogana nuk shqyrton kushtet apo kriteret.

Administrata Doganore Shqiptare ka vënë në zbatim statusin OEA sipas standardeve ndërkombëtare dhe për këtë qëllim është nënshkruar një Marrëveshje për Njohje të Përbashkët me shtetet e CEFTA-s  me kusht bazën ligjore dhe zbatimin në përputhje me BE – në, ku palët në CEFTA informojnë njëra-tjetrën në lidhje me identitetin e OEA-ve

Përfitimet e statusit të OEA-ve janë një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet: Më pak kontrolle fizike dhe të dokumentacionit në krahasim me operatorët ekonomikë të tjerë; Trajtim prioritar dhe njoftim prioritar në rast seleksionimi për kontroll doganor ; Mundësi për të kërkuar hapësira specifike përveç zyrave doganore për kontrollet e doganës.

Një akses i thjeshtuar apo ekskluziv për disa thjeshtime doganore: Reduktim i nivelit të garancisë apo përjashtim nga garancia; Thjeshtime në transit; Thjeshtime në vlerë; Autorizim për deklarata të thjeshtuara etj. Marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.

Kriteret e OEA -ve

Sipas llojit të autorizimit të kërkuar (thjeshtimet doganore apo të sigurisë dhe mbrojtjes), aplikuesi duhet të përmbushë disa kritere:

Të mos ketë kryer shkelje të rënda apo të përsëritura të legjislacionit doganor dhe rregullave tatimore; Të ketë një sistem menaxhimi tregtar, dhe nëse është e nevojshme regjistra transporti, të cilat lejojnë kryerjen e kontrolleve doganore të përshtatshme; Të ketë aftësi të mira paguese; Te ketë standarde praktike dhe kompetenca ose kualifikime profesionale (OEA-D).

Për statusin e OEA-S, standarde sigurie dhe mbrojtje të përshtatshme: Masat e duhura per sigurinë e zinxhirit tregtar; Integriteti fizik dhe kontroll të aksesit; Procese logjistike dhe trajtime për lloje të ndryshme mallrash; Personel i përgjegjshëm dhe identifikim i partnerëve të biznesit; Nje OEA-S përfiton lehtësira në kontrolle gjatë hyrje – daljeve të mallrava në territorin shqiptar

OEA – të në Bashkimin Europian (BE)

Statusi i OEA-ve është adoptuar fillimisht në kuadrin e Partneritetit Doganë-Biznes nga Organizata Botërore e Doganave (ËCO) në vitet 2000 ;

OEA ka hyrë në fuqi në BE në Janar 2008;

Me “Kodin Doganor të Bashkimit Europian” që ka hyrë në fuqi më 1 Maj 2016, statusi i OEA është përforcuar dhe ka përfituar nga thjeshtime të reja.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta dekreton Olta Xhaçkën si ministre të Jashtme dhe Niko Peleshin, ministër të Mbrojtjes
Artikulli tjetërDuka mesazh urimi për vitin e ri 2021: Të jetë krejt ndryshe nga viti 2020