TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka uruar shqiptarët me rastin e Vitit të Ri 2021.
Përmes një video mesazhi ajo ka theksuar se, “2020-a ka qenë një luftë për të gjithë ne”.
“Ndikimi i COVID-19 tregoi dobësinë e shtetit tonë. Ne pamë rritje të papunësisë, çmime të larta, më pak mundësi dhe më shumë shqiptarë që largohen nga vendi ynë. Shumë shqiptarë po luftojnë për të mbijetuar”, shprehet Kryemadhi.
“Uroj me zemër të gjithë shqiptarët e mi që 2021-i të sjellë shpresë të re, energji të re dhe më shumë mundësi. Kjo është arsyeja e angazhimit tonë, të rikthejmë shpresën në Shqipëri”, tha ajo.
“Një Shqipëri më e mirë po vjen. Së bashku ne mund ta kthejmë Shqipërinë të ndihet sërish si një shtëpi dhe të mbyllim këtë kapitull tranzicioni. Gëzuar Vitin e Ri 2021. Zoti i bekoftë shqiptarët. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, ka përfunduar mesazhin e saj Kryemadhi. /a.a/






















