PD: Mësimi online rezultoi joefektiv

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe përfaqësuesi i Departamentit të Arsimit në PD, Ndriçim Mehmeti deklaruan sot se “mësimi online rezultoi joefektiv për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe kjo pohohet nga vetë nxënësit”.

“Edhe prindërit janë të pakënaqur me mënyrën e ofruar nga qeveria për mësim online kur buxheti i tyre familjar nuk u mundëson 3 fëmijëve të tyre të cilët vijojnë mësimin, për t’i pajisur me telefon, tabletë ose internet pa ndërprerje”, thanë ata, ndërsa vizituan një familje, 3 nga 4 fëmijët e së cilës janë në shkollë fillore e të mesme dhe mësojnë në mënyrë të alternuar, ne klasë dhe online.

“Edhe pak muaj do të bëjmë durim me shpresën që pas 25 prillit gjërat do të ndryshojnë. E gjithë shoqëria po vuan sepse kjo shkon zinxhir. Po mundohemi që fokusin ta vëmë tek arsimi, sepse nëse nuk arsimohen atëherë ke impakt negativ në ekonomi, shoqëri por unë shpresoj që fëmijët tuaj të mos ikin por të rrinë këtu për të kontribuar për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne, sepse stafeta i takon atyre. Ju duhet të kishit një ose dy tableta të dhuruara nga shteti që fëmijëve t’u mundësohej mësimi online. Duhej të kishit internet falas nga qeveria siç e kanë bërë vendet e tjera”, tha Vokshi./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.