Ballina Flash

CureVac nis testimin final për vaksinën kundër COVID-19

BERLIN, 14 dhjetor /ATSH-AFP-AA/ – Laboratori farmaceutik gjerman njoftoi sot fillimin e fazës së tretë dhe të fundit të provave klinike në shkallë të gjerë në kuadër të autorizimit të vaksinës së saj kundër COVID-19. 

“Curevac filloi fazën globale 2b/3 të studimeve të saj klinike të nevojshme për autorizimin e kandidatit të saj të vaksinës”, njoftoi laboratori me qendër në Tübinge, në një komunikatë.

“Një vullnetar i parë u rekrutua”, konfirmoi laboratori që përdor, ashtu si konkurrentët Biontech dhe Moderna, teknologjinë ARN messager për vaksinën e saj.

Më shumë se 35 mijë vullnetarë nga Europa dhe Amerika Latine pritet të marrin pjesë në testim, me pjesëmarrësin e parë tashmë të regjistruar, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Pjesëmarrësit e moshës 18-vjeç ose më lart do të marrin dy doza të vaksinës ose placebo (substancë pa efekt terapeutik).

“Të dhënat e sigurisë klinike dhe imunogjenitetit të arritura deri më sot duken premtuese dhe ne shpresojmë që ky testim të vazhdojë të demonstrojë ndikimin e teknologjisë mARN dhe vaksinës sonë për të parandaluar COVID-19, dhe për të ndihmuar në mposhtjen e kësaj pandemie”, deklaroi Franz-Werner Haas, drejtori ekzekutiv CureVac.

Nëse testet janë të suksesshme, CureVac do të bëhet kompania e dytë gjermane që zhvillon vaksinë kundër COVID-19 pas BioNTech, së bashku me gjigantin e farmacisë amerikane Pfizer, vaksina e të cilit është aprovuar në SHBA dhe në pritje të autorizimit të përdorimit emergjent në Europë./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtestat e dhunshme në Tiranë/ Balla: Kemi një opozitë që bën politikë me vdekjen
Artikulli tjetërLinja 400 kV/ Cakaj: Forcon bashkëpunimin ndërinstitucional e rrit kapacitetet elektroenergjetike