Kryemadhi: Një karantinë e dytë do ishte fatale për ekonominë

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha sot se Shqipëria është e dërrmuar nga karantina e parë dhe një karantinë e dytë do të ishtë fatale, ndërsa sipas saj zgjidhja për të shmangur karantinën e dytë është rritja e testimeve.

Në një emision televiziv, Kryemadhi tha se “mendoj që jemi të dërrmuar nga karantina e parë, jemi të dërrmuar ekonomikisht, jemi të dërrmuar psikologjikisht, jemi të dërrmuar në shëndetin mendor dhe një karantinë e dytë do të ishte fatale për ekonominë, për biznesin, për arsimin e për çdo gjë tjetër”.

“Mendoj që është e domosdoshme për të gjithë ne që të japim një vendim dhe një zgjidhje. Mendoj që politikisht sa më pak të flasim për këtë situatë do të jetë shumë më mirë dhe të harrojmë sa më shumë konfliktet politike për t’i dhënë zgjidhje çështjes së situatës që po kalon sot Shqipëria”, – tha Kryemadhi.

Kryemadhi u shpreh se “karantina eliminohet totalisht nëse kemi testime në masë të të gjithë popullatës”.

Duke folur mbi mundësinë e mbylljes së shkollave kryetarja e LSI Kryemadhi u shpreh pro mbylljes së shkollave.

“Shkollat janë vatrat kryesore të shpërndarjes së Covid”, tha Kryemadhi./k.s/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.