Korçë/ Ngricë në Qafë Bigëll, lëvizja me goma dimërore dhe zinxhirë

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, njoftojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes përgjatë aksit rrugor Korçë-Goricë, konkretisht në Qafë Bigëll, për shkak të prezencës së ngricës në rrugë, kryesisht gjatë natës.
Policia Rrugore, iu bën apel qytetarëve që të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të përdorin zinxhirë në këtë aks rrugor, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore.
Sipas njoftimit nga Policia Rrugore, lëvizja në akset e tjera rrugore të qarkut, deri në këto momente, nuk paraqet probleme.
Ndërkohë që në dispozicion të qytetarëve janë numrat 112 dhe 129, të cilët mund të telefonojnë për çdo rast nevoje apo problematike të shfaqur dhe shërbimet e policisë do të jenë në gatishmëri dhe në ndihmë të tyre. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.