Rregullat e reja “Për prokurimin publik”

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për prokurimin publik” kompanitë do të mund të bëhen pjesëmarrëse vetëm duke plotësuar një formular vetëdeklarimi që plotësojnë kushtet. Ndërsa vetëm kompania fituese do të jetë e detyruar të dorëzojë të gjithë dokumentet e ofertimit.

“Projektligji parashikon lehtësimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, duke parashikuar një formular të vetëm vetëdeklarimi. Nëse aktualisht shumica e dokumenteve kërkohet të ngarkohet në sistemin elektronik, me këtë ligj ne do të vendosim që do të ketë një formular të vetëm vetëdeklarimi me disa prej kërkesave dhe operatori ekonomik vetëm do të vetëdeklarojë që kushtet për një sërë kërkesash që do të mirëpërcaktohen në rregulllat e prokurimit duke lehtësuar atyre mundësinë e ofertimit. Pastaj më tej, fituesi do të duhet t’i japë autoriteti kontraktor të gjithë dokumentet e ofertimit, por gjatë procesit të ofertimit do të ofertojnë vetëm me anë të vetëdeklarimit”, deklaroi Kashta.

Më tej, Kashta tha se në ligj rifutet edhe sigurimi i ofertës që u hoq në vitin 2012, por që nga zbatimi në praktikë tha ajo, rezultoi joefektiv dhe është përdorur si mundësi abuzimi nga operatorët ekonomikë, kështu që ne do ta rifusim konceptin e sigurimit të ofertës.

”Nëse operatorët ekonomikë gjatë procesit të ofertimit të prokurimit tërhiqen, atëherë do t’u mbahet një penalitet në vlerën 2% të fondit limit që është sigurimi i ofertës”.

Për herë të parë, po ashtu, theksoi Kashta, ulim afatin e periudhës së përjashtimit minimal të operatorëve ekonomikë nga Autoriteti i Prokurimit Publik, kjo për ta lidhur me parimin e proporcionalitetit, pra masa e penalitetit duhet të jetë në përpjestim me masën e shkeljes së konstatuar.

Po ashtu parashikohet periudha e pritjes, gjatë të cilës APP nuk mund të shprehet pa përfunduar koha e ankimimit. Ndërsa ankimimi nga dy shkallë që është aktualsiht kalon me një shkallë.

Aktualisht ankesat depozitohen fillimisht pranë autoritetit kontraktor dhe më pas pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

“Për të shkurtuar afatin e ankimimit dhe rritur eficiencën në trajtimin e ankesës ne me këtë ligj vendosim që ankesa është njëshkallëshe, depozitohet njëkohësish pranë autoritetit kontrakor dhe KPP dhe ka vetëm një afat për t’u rajtuar nga dy aktorët”, tha Kashta.

Me ligjin e ri vendimet e KPP ankimohen direkt në Gjykatën e Apelit jo në gjykatën e shkallës së parë.

Ndryshimet në ligjin “Për prokurimi publik” u miratuan sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.