“Në vetëm pak ditë, me dhjetëra mohime, vetëm injorime nga Lulzim Basha drejt akuzave që jo një, por disa dëshmitarë i bëjnë për përfshirje në hetimet ndaj luftëtarëve të UÇK-së, apo për fshehjen e provave filmike që vërtetojnë masakrat e serbëve në Kosovë. Në vetëm pak ditë, shumë gënjeshtra, madje edhe fyerje mbi dëshmitarët që i kujtojnë të shkuarën e tij, por asnjë sqarim, asnjë qartësim, as mbi akuzat, as mbi rolet e tij dhe pozicionin që ka luajtur si përfaqësues i Tribunalit të Hagës në Kosovë”, thuhet në video.
Po ashtu theksohet fakti se “sot e kësaj ditë, nuk i ka dhënë përgjigje as kësaj deklarate që vjen nga përfaqësuesi i organizatës ‘Humans Rights’, Fred Abrahams, sipas të cilit Lulzim Basha, ka hetuar personalisht dokumentacionin rreth kushteve të paraburgimit të serbëve në Shqipëri”.
“Kjo deklaratë e Abrahams vë theksin te fakti se Lulzim Basha ishte përfshirë në hetimet mbi ato që prokurorja Karla Del Ponte, i cilësonte si krime të rënda të luftëtarëve të UÇK-së mbi serbët e marrë peng. Në maj të vitit 2008, pak pasi Lulzim Basha kishte cilësuar si fyese dhe të pamoralshme, deklaratat e prokurores Karla Del Ponte, Abrahams i kujtoi Bashës, se duhet ti marrë më seriozisht deklaratat e Del Pontes, sepse Basha sipas tij, kishte eksperiencë personale në këto hetime. Javën e kaluar ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, hodhi poshtë deklaratat e del Pontes si të “pamoralshme” dhe “fyese””, vijon video.
“Ministri Basha duhet t’i marrë më seriozisht deklaratat duke e ditur nga eksperienca e tij personale që ekzistojnë prova të besueshme rreth transportimeve nga njëri kufi në tjetrin,” theksoi Abrahams. “Ai ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK –ut pas luftës dhe ka hetuar personalisht dokumentacionin rreth kushteve të paraburgimit në veri të Shqipërisë.”
“A ka diçka për të thënë Lulzim Basha rreth kësaj akuze? Përse nuk flet ai për përfshirjen në hetimet ndaj luftëtarëve të UÇK-së? Çfarë dokumentacioni ka përgatitur ai për kushtet e paraburgimit të serbëve në veri të Shqipërisë? Mos vallë bëhet fjalë për të famshmen ‘Shtëpi të verdhë’ në Burrel, ku sipas Karla Del Pontes, u merreshin organet serbëve? A ishte dokumentacioni i përgatitur nga Basha, pikënisja e librit të Karla Del Pontes, me titull “Gjuetia”? Ne vetëm po citojmë dëshmitarë dhe persona që zotërojnë informacion për të shkuarën e Bashës, duke i kërkuar këtij të fundit që të dalë e të sqarojë, pa rrena, rolin e tij në këto procese”, thuhet në video.
“Të vërtetojë, me fakte dhe dokumente se cili ka qenë statusi i tij dhe detyrat e tij specifike në detyrat pranë Tribunalit të Hagës. Nëse nuk e bën këtë, Lulzim Basha është thjesht dhe vetëm, i padrejtë me të gjithë ata shqiptarë të Kosovës, shpirtrat e të cilëve janë trazuar nga akuzat e paarsyeshme se ata na paskan kryer po aq krime sa edhe serbët”, vijon video. /m.m/r.e/