Pelikani kaçurrel emblema e Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavasta, atraksioni kryesor për turistët e natyrës dhe vëzhgimit

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Pelikani kaçurrel ka gjetur tashmë oazin e qetësisë në Parkun Kombëtar të Divjakës, Karavasta, duke u kthyer edhe në një emblemë të këtij parku dhe atraksioni kryesor për turistët e natyrës dhe vëzhgimit.

Gjatë vitit 2020, u regjistruan 85 çifte pelikanësh kaçurrelë, shifra më e lartë e 40-viteve të fundit në vendin tonë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar një video nga Parku i Divjakë-Karavasta, të disa pelikanëve kaçurrel të cilët shijojnë ujërat e kësaj lagune, ku thekson se kjo specie e rrezikuar ka gjetur strehën e saj në vendin tonë.

“Pelikanët, kjo specie e rrezikuar, banorë të përhershëm të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta atraksioni kryesor dhe emblema e këtij parku”, nënvizon Klosi.

Në Parkun e Divjakë Karavastasë, referuar një artikulli të publikuar këtë verë nga AOS Albania, janë regjistruar 85 çifte pelikanësh kaçurrelë. Kolonia është e ndarë në tri nënkoloni të vogla, dhe është shtuar me rreth 65 të vegjël, të aftë për të fluturuar. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.