TURQI – Banka Qendrore rrit normat e interesit

ANKARA, 19 nëntor /ATSH-AA/ – Banka Qendrore e Turqisë ka rritur normën e saj të interesit, e njohur po ashtu si norma e politikës së bankës, nga 10,25% në 15%, me këtë duke forcuar politikën e saj monetare për të siguruar stabilitetin e çmimeve.

Vendimi u njoftua në një deklaratë pas takimit të parë mbi politikat e bankës, të kryesuar nga guverntori i saj, ish-ministri i Financave, Naci Ağbal, i cili u emërua më 7 nëntor.

Komiteti i Politikës Monetare (MPC) i Bankës Qendrore të Turqisë vendosi të sigurojë të gjitha fondet përmes normës kryesore të politikës, respektivisht normës së interesit.

“Në periudhat përpara do të merren parasysh të gjithë faktorët që ndikojnë në inflacion dhe shtrëngimi i politikës monetare do të mbahet i qëndrueshëm derisa të arrihet një rënie e përhershme e inflacionit”, njoftoi Banka Qendrore.

Siç njoftoi banka, stabiliteti i çmimeve do të arrihet duke miratuar “parimet e transparencës, parashikueshmërinë dhe parimet e llogaridhënies së kërkuar nga regjimi i shënjestrimit të inflacionit”.

Ajo po ashtu vlerësoi se vendosja e përhershme e mjedisit të ulët të inflacionit do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Por, më tej thuhet se “kufizimet e pjesshme mes pandemisë rrisin pasigurinë e perspektivës së aktivitetit ekonomik afatshkurtër, veçanërisht sektorin e shërbimeve”.

Dje, një analizë nga redaksia e financave e AA-së me 27 ekonomistë parashikoi një rritje të normave të interesit, që variojnë midis 200 dhe 550 pika bazë.

Analiza po ashtu tregoi se parashikimi i normës së interesit të ekonomistëve në fund të vitit do të jetë 15,25%, duke filluar nga 13,75% në 16,25%./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.