SIDNEJ, 9 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri australian, Scott Morrison ritheksoi qëllimet e vendit të tij për klimën, pasi Joe Biden u shpall fituesi i zgjedhjeve presidenciale të SHBA.
Biden tha se administrata e tij do të bashkohet përsëri me Marrëveshjen e Klimës të Parisit dhe do të ndjekë një objektiv zero të emetimeve të karbonit deri në vitin 2050, një angazhim që qeveria Morrison ende nuk e ka marrë.
“Australia gjithmonë do të vendosë politikat e saj bazuar në interesat kombëtare”, u tha Morrison gazetarëve në Canberra.
“SHBA do të marrin vendimet e tyre bazuar në interesat e tyre, aftësitë e tyre dhe mënyrën e strukturimit të ekonomisë së tyre dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, shtoi ai.
Marrëveshja e Parisit, të cilën Australia e nënshkroi, angazhon të gjithë anëtarët për arritjen e emetimeve neto zero nga një moment midis 2050 dhe 2100, megjithëse një numër në rritje i vendeve kanë vendosur objektivin në gjysmën e parë të shekullit.
Australia ka pasur një presion në rritje ndërkombëtar për të vendosur një qëllim specifik afatgjatë pasi më shumë se 70 vende, përfshirë partnerët e saj kryesorë tregtarë Japonia dhe Koreja e Jugut, vendosën objektivin e tyre të vitit 2050.
Kryeministri britanik Boris Johnson gjithashtu e nxiti Morrison të merrte “veprime të guximshme” muajin e kaluar. /os/



















